Kjo eshte rruga e vertete


"Pasha qiellin me plot yje, Pasha ditën e premtuar, Pasha atë që dëshmon dhe atë që dëshmohet! Mallkuar qofshin ata të zotët e hendeqeve, Të zjarrit me plot lëndë djegëse, kur ata rrinin ulur rreth tij, dhe dëshmonin atë që bënin me besimtarët. E nuk patën pse t'i urrejnë, përveç që e besuan All-llahun, ngadhënjyesin, të lavdëruarin, të cilit i takon sundimi i qiejve e i tokës, e All-llahu është dëshmitar i çdo sendi. Është e sigurt se ata që i sprovuan besimtarët dhe besimtaret dhe nuk u penduan; ata kanë dënimin e xhehenemit dhe dënimin e djegies. Ata që besuan dhe bënë vepra të mira, ata kanë xhennete nën të cilat burojnë lumenj, e ai është suksesi më i madh. Është e vërtetë se goditja që e fillon (krijimin) dhe e rikthen. Ai është që falë mëkatet, është i dashur. Është Zoti i arshit të madh! E punon atë që dëshiron. " (Buruxh, 1-16)
Rrëfimi mbi të zotët e hendeqeve - siç është theksuar në suren Buruxh - është një e vërtetë që duhet ta sodisin besimtarët të cilët thërrasin në rrugë të All-llahut në çdo vend dhe në çdo brez. Kur'ani përmes këtij stili me anë të kësaj hyrjeje dhe asaj që vijon pas saj, konfirmimeve dhe udhëzimeve të cilat e shoqërojnë, ka për qëllim t'i skicojë vijat e thella në konceptin e natyrës së thirrjes në All-llahun, rolin e njerëzve në të, mundësitë praktike në sferën e saj të gjerë. Ajo është edhe më e gjerë se sipërfaqja e tokës dhe më e gjatë se jeta e dynjasë. Kur'ani ua dëfton besimtarëve shenjat e rrugës dhe ua përgatit qeniet për ta përballuar cilëndo nga këto mundësi, me të cilat rrjedh kaderi (caktimi) i hartuar në pajtim me urtësinë e strukur në gajbin (të panjohurën) e fshehur të All-llahut.
Ky është rrëfim i një grupi besimtarësh të cilët besuan në Zotin e tyre, e shpallën të vërtetën e imanit të tyre, pastaj iu ekspozuan sprovës nga armiq arrogantë, zullumqarë e keqtrajtues të së drejtës së njeriut në lirinë e besimit, në të vërtetën, në All-llahun e fuqishëm e të falënderuar, gjithashtu keqtrajtues të nderit të njeriut që ia ka dhënë All-llahu, me qëllim që të bëhen lodër e të kënaqen zullumqarët me dhimbjet nga torturat që ua bëjnë dhe me skenën e krijuar gjatë dënimit me zjarr!
Imani përmes këtyre zemrave u ngrit mbi sprova. Akideja fitoi mbi jetën. Ata nuk u tundën nga kërcënimet e arrogantëve zullumqarë e as nuk e tradhtuan fenë e tyre përderisa digjeshin në zjarr deri në vdekje.
Këto zemra ishin të çliruara nga robërimi i jetës. Ato nuk i mashtroi dashuria e gjallërisë edhe në momentin kur e përjetonin vdekjen përmes kësaj mënyre të shastisur. Ato u liruan nga prangat dhe lakmitë e tokës dhe u ngritën mbi qeniet e tyre përmes fitores së akides në jetën e tyre.
Përballë këtyre zemrave besimtare, të dëlira, të ngritura e të ndershme, ishin bishat e egra, kriminele e të shëmtuara. Këto bisha u ulën në skaj të zjarrit duke shikuar se si po torturohen besimtarët dhe si dënohen.
Ata u ulën që të argëtohen duke shikuar skenën se si po e han zjarri jetën, gjersa njerëzit e ndershëm shndërroheshin në zjarr e prush. Sa herë që hidhej një i ri apo një e re, fëmijë ose plakë nga besimtarët e zgjedhur e të ndershëm në zjarr, shtohej gëzimi i shëmtuar në shpirtrat e zullumqarëve dhe zhurma e marrë dhe e nxehtë me gjak dhe kufoma!
Ky është rasti i trishtueshëm në të cilin u mbështetën bishat zullumqare dhe i hodhën ata në këtë këndellje zjarri. Ata kënaqeshin me skenën e dënimit të ashpër e të dhembshëm, me këtë gjakpirësi që kështu nuk turren as kafshët mishngrënëse. Kafsha
mishngrënëse han që të ushqehet e jo të kënaqet me dhimbjet e viktimës në trishtim dhe shëmtim!
Ai po ashtu është rasti në të cilin u ngritën shpirtrat e besimtarëve, u çliruan dhe u ngjitën në atë horizont të ndershëm me të cilin u nderua njerëzimi në të gjitha periudhat dhe kohët. Sipas llogarisë tokësore (materiale), duket se zullumi ka triumfuar mbi imanin. Megjithatë, ky iman i cili arriti në këtë lartësi kulminante, në shpirtrat e grupit të zgjedhur e të ndershëm, të vendosur e të lartësuar, nuk ka masë për t'iu vënë peshë e as llogari në atë betejë e cila u zhvillua midis imanit dhe arrogancës!
Transmetimet të cilat e cekin këtë ndodhi, po as tekstet kur'anore nuk japin të dhëna se All-llahu iu hakmor këtyre arrogantëve në tokë për shkak të krimit (ë tyre shëmtues, ashtu siç veproi me popullin e Nuhut, Hudit, Salihut, Shuajbit dhe Lutit ose si iu hakmor Faraonit dhe ushtarëve të tij siç hakmerret I forti e I mundshmi.
Në llogarinë tokësore ky përfundim duket nënçmues dhe i dhembshëm!
A kështu do të mbarojë çështja duke mbaruar grupi besimtar i cili arriti në kulm të imanit? Të shkojë me dhembjen e tij të mundimshme në humnerë, kurse grupi torturues i cili gjeti mbështetje në zjarr, të shpëtojë?
Llogaria tokësore lë gjurmë në zemër para këtij përfundimi të dhembshëm!
Megjithatë Kur'ani i mëson besimtarët për diç tjetër dhe ua shpalon një të vërtetë tjetër. Ua hap sytë që ta kuptojnë natyrën e vlerave me të cilat masin dhe fushëbetejën të cilën e zhvillojnë.
Jeta me të gjitha rrethanat për argëtim dhe mundim, për kënaqësi dhe pengim, nuk jep vlerën më të lartë në peshojë. Ajo nuk është artikulli i cili vendos për fitimin dhe humbjen. Fitorja nuk është e kufizuar vetëm në ata që korrin fitore të dukshme. Kjo është vetëm një mënyrë prej mënyrave të shumta të ngadhënjimit.
Vlera më e lartë në peshoren e All-llahut është vlera e besimit. Artikulli ngadhënjyes në tregun e All-llahut është artikulli i imanit. Fitorja në format e saj më të larta është fitorja e shpirtit ndaj materies, fitorja e akides ndaj dhembjes dhe fitorja e imanit ndaj sprovës. Në këtë ndodhi korrën fitore shpirtrat e besimtarëve mbi frikën dhe dhembjen, korrën fitore mbi tërheqshmëritë e tokës dhe jetës dhe korrën fitore mbi sprovën e madhe e cila e nderoi tërë llojin njerëzor në të gjitha kohët. Kjo pra është fitore e vërtetë.
Që të gjithë njerëzit do të vdesin, kurse shkaqet ndryshojnë. Por që të gjithë njerëzit nuk e arrijnë këtë fitore e as nuk lartësohen deri në këtë lartësim, as nuk çlirohen me këtë çlirim, e as nuk ngjiten deri në këto hapësira të larta. Kjo është zgjedhje e All-llahut dhe nderim i Tij për disa nga robërit e Tij që t'i shoqërojnë njerëzit në vdekje, e të veçohen nga ata me nderim, nderimi në meleul-'ala (botën e engjëjve) dhe në botën e njerëzve gjithashtu. Kjo është kështu nëse ne në llogari e fusim shikimin e rrjedhave brez pas brezi!
Ata besimtarë patën mundësi që ta shpëtojnë jetën e tyre po ta pranonin dështimin e imanit. Por, sa do të humbnin ata për vete dhe, sa do të humbte tërë njerëzimi? Sa do të humbnin kur ata vetë do ta mbytnin këtë kuptim të madh. Kuptimin e zhveshjes së jetës pa akide, shëmtimit të saj pa liri dhe fundosjes së saj me ç'rast do të dominonin arrogantët zullumqarë mbi shpirtrat pasi që tashmë kishin dominuar mbi trupat?
Kjo ka domethënie fisnike dhe kuptim shumë të madh. Këtë të cilën e fituan përderisa ende ishin në tokë, e fituan duke e ndier prekjen e zjarrit, duke u djegur trupat e tyre jetëshkurtër dhe duke ngadhënjyer kjo domethënie fisnike të cilën e shfajëson dhe e pastron zjarri!
Pastaj, fushëbetejë nuk është vetëm toka e as vetëm jeta e kësaj bote. Dëshmitarë të betejës nuk janë vetëm njerëzit ndër gjeneratat (në mesin e atyre që frymojnë sh.p.), ekziston edhe bota e engjëjve të cilët marrin pjesë në ngjarjet e tokës, dëshmojnë për dhe kundër saj. Ata masin me peshore jo si peshorja e tokës ndër gjenerata apo në të gjitha gjeneratat. Bota e engjëjve përmban shpirtra fisnikë shumëfish më tepër sesa që përmban toka njerëz. Pa dyshim se lëvdatat e botës më të lartë dhe nderimi i tyre është më i madh dhe më i saktë në cilëndo peshore nga mendimi i banorëve të tokës dhe vlerësimi i tyre!
Pas gjithë kësaj ekziston edhe ahireti. Ai përmban hapësirën origjinale të cilës i bashkëngjitet hapësira e tokës. Ai nuk ndahet prej saj, as në realitetin praktik e as në ndjenjën e besimtarit për këtë realitet.
Beteja pra nuk ka mbaruar. Përfundimi i saj i vërtetë ende nuk ka ardhur. Të gjykosh për të me pjesën e cila i është ekspozuar tokës, është gjykim jo i shëndoshë, ngase ai është gjykim i një hapësire të vogël prej saj dhe hapësirës së përkufizuar.
Shikimi i parë i cili është shikim me distancë të shkurtër dhe me hapësirë të ngushtë ia imponon njeriut ngutësinë. Shikimi i dytë është gjithëpërfshirës me distancë të largët. Ai është për të cilin Kur'ani i nxit besimtarët ngase përfaqëson të vërtetën përmes së cilës është vendosur koncepti i shëndoshë i imanit.
Që këtu, premtimi i All-llahut iu drejtua besimtarëve si shpërblim për imanin dhe respektin, durimin ndaj sprovave, fitoren mbi sprovat e jetës. Përmes kësaj arrihet qetësia e zemrës:
"Ata që besuan dhe me të përmendur All-llahun, zemrat e tyre qetësohen; pra ta dini se me të përmendur All-llahun, zemrat stabilizohen. " (Ra 'd, 28)
Përmes kësaj arrihet kënaqësia dhe dashuria të cilat i jep i Gjithëmëshirshmi:
"Nuk ka dyshim se ata që besuan dhe bënë vepra të mira, atyre i Gjithëmëshirshmi do t'u krijojë (në zemrat e tyre) dashuri. " (Merjem 96)
Përmes saj arrihet të përmendurit në botën e engjëjve:
Thotë Resulull-llahu, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem:
"Kur të vdesë i biri i robit, u thotë All-llahu melekëve të vet: E morët të birin e robit tim? Thonë: Po. Ai thotë: E morët loçkën e zemrës së tij? Thonë: Po. Atëherë pyet: Çka tha robi im? Thonë: Tu falënderua Ty dhe u përmbajt. Në atë rast tha: Ndërtoni robit tim një shtëpi në xhennet dhe emërtojeni Shtëpia e falënderimit." Transmeton Tirmidhiu
Resulull-llahu sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, po ashtu thotë:
"All-llahu azze ve xhel-I thotë: Unë jam në kujtesën e robit tim kur më kujton. Unë jam me të edhe kur më përmend. Kur më përmend në vete, e përmendi në vete. Po nëse më përmend në një bashkësi, do ta përmendi në një bashkësi edhe më të mirë se ajo. Nëse më afrohet një pëllëmbë, i afrohem një krah. Po nëse më afrohet një krah, i afrohem një hap. Nëse më vjen ecur, i vij në vrap. " Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi
Edhe angazhimi i botës së engjëjve fitohet me çështjen e besimtarëve në tokë:
"Ndërsa ata (engjëjt) që e bartin Arshin edhe ata që janë përreth tij, lartësojnë me falënderim Zotin e tyre, i besojnë Atij dhe i luten Atij t'i falë ata që besuan (duke thënë): "Zoti ynë, Ti me mëshirën dhe diturinë Tënde ke përfshirë çdo send, andaj falja atyre që u penduan dhe ndoqën rrugën Tënde, e edhe ruaji ata nga dënimi i xhehennemit." (Gafir, 7)
Fitohet edhe jeta nga ana e All-llahut për dëshmorët:
"Kurrsesi të mos mendoni se janë të vdekur ata që ranë dëshmorë në rrugën e All-llahut. Përkundrazi, ata janë të gjallë duke u ushqyer te Zoti i tyre. Janë të gëzuar me atë që ua dha All-llahu nga të mirat e Tij, dhe atyre që kanë mbetur ende pa iu bashkuar radhëve të tyre, u marrin myzhde për ta, nuk ka as frikë dhe as që kanë pse të brengosen. Ata janë të gëzuar me begati e dhurata që ua dha All-llahu, e s 'ka dyshim se All-llahu nuk ua humb shpërblimin besimtarëve!" (Ali Imran, 169-171)
Gjithashtu do të dëgjohet premtimi i Tij disa herë i përsëritur se si do t'i marrë gënjeshtarët, zullumqarët dhe kriminelët në ahiret dhe do t'u japë me bollëk në tokë e do t'u japë afat deri në një kohë, edhe pse ndonjëherë disa prej tyre i mori dënimi i Tij qysh në dynja, megjithatë i tërë koncentrimi është në ahiret, në
atë pjesë përfundimtare:
"Të mos mashtrojë bredhja nëpër qytete e atyre që nuk besuan. Ajo është një kënaqësi e paktë, e pastaj vendi i tyre është xhehennemi që është vend mjerimi. " (Ali Imran, 196-197)
"E ti kurrsesi mos e mendo All-llahun si të pakujdesshëm ndaj asaj që veprojnë zullumqarët; Ai vetëm është duke i lënë ata përderisa një ditë në të cilën sytë shtangen (mbesin të hapur). (Atë ditë) Ata të ngutur e duke i ngritur kokat e tyre lart, nuk lëvizin sytë e tyre (për të shikuar), e zemrat e tyre janë të zbrazura (nga frika). " (Ibrahim, 42-43)
"Po ti lëri ata të zhyten edhe më thellë në të kota dhe të dëfrehen derisa të ballafaqohen në ditën e tyre që po u premtohet. Ditën kur duke u ngutur dalin prej varreve, sikur nguteshin te idhujt. Në shikimet e tyre të përulura i ka kapluar poshtërimi. Ajo është dita që ka qenë premtuar. " (Mearixh, 42-44)
Në këtë mënyrë jeta e njerëzve lidhet me jetën e botës së engjëjve. Lidhet dynjaja me ahiretin. Andaj, edhe nuk mbeti vetëm toka sferë e betejës midis hajrit dhe sherrit, të të drejtës dhe të kotës, besimit dhe arrogancës. Nuk mbeti po ashtu jeta e dynjasë, përfundimi i bredhjes, e as termini ndarës në këtë përleshje. Po ashtu edhe jetës dhe gjithçka që lidhet me të si kënaqësitë, dhembjet, shijimet dhe ndalimet nuk u mbet vlera më e lartë në peshore.
U zgjerua hapësira e vendit dhe u zgjerua hapësira e kohës. U zgjerua hapësira në vlerat dhe kriteret u zgjeruan horizontet e shpirtit besimtar dhe u shtua preokupimi për të. U zvogëlua toka dhe ajo që e përmban, jeta e dynjasë dhe ajo që ndërlidhet me të, e në anën tjetër, u nderua besimtari me vlerën që e pa dhe me atë që u bë e dijshme siç janë hapësirat dhe jetët. Rrëfimi për të zotët e hendeqeve është kulmi i formimit të këtij koncepti të besimit, të gjerë, përfshirës, të madh e të ndershëm.
Ekziston edhe një rrezatim tjetër të cilin e nxjerr rrëfimi për të zotët e hendeqeve dhe sureja Buruxh rreth natyrës së thirrjes në All-llahun dhe qëndrimit të thirrësit para çdo provokimi.
Historia e thirrjes në All-llahun ka dëshmuar forma të llojllojshme të epilogëve në tokë, të cilat ndryshuan sipas thirrjeve.
Ka dëshmuar përmbysjen e popullit të Nuhut, popullit të Hudit, popullit të Shuajbit, popullit të Lutit dhe shpëtimin e grupit me numër të vogël të besimtarëve, në mënyrë shumë të kollajshme. Kur'ani nuk u përmendi ndonjë rol të shpëtuarve pas kësaj në tokë dhe jetë. Këto forma konfirmojnë se ndonjëherë All-llahu dëshiron që përgënjeshtruesve zullumqarë t'ua përshpejtojë një pjesë të dënimit në këtë botë, ndërsa dënimi i plotë u është përgatitur atje.
Historia e da'ves ka dëshmuar përmbysjen e Faraonit dhe ushtrisë së tij, shpëtimin e Musaut dhe popullit të tij, duke ia mundësuar këtij populli për një kohë të jetojë i qetë në tokë. Ata gjatë asaj kohe ishin në gjendjen më të mirë në historinë e tyre, edhe pse asnjëherë nuk u stabilizuan plotësisht në mënyrë që të vendosin fenë e All-llahut në tokë, e që është sistem gjithëpërfshirës për jetë. Ky është një shembull që nuk u përngjan shembujve të mëparshëm.
Historia e da'ves ka dëshmuar gjithashtu përmbysjen e idhujtarëve të cilët iu kundërvunë udhëzimit dhe imanit në Muhammedin, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, dhe fitoren e besimtarëve e cila ishte fitore e plotë, tok me fitoren e akides në shpirtrat e tyre e që ishte fitore e mahnitshme. Ky ishte rasti i vetëm në historinë e njerëzimit kur u vendos sistemi i All-llahut i cili dominonte mbi jetën, në një formë që njerëzimi nuk e dëshmoi asnjëherë më parë e as më vonë.
Ajo dëshmoi, siç pamë, edhe rastin e të zotëve të hendeqeve.
Ajo dëshmoi edhe forma të tjera të cilat kishin më pak hise në regjistrin e historisë së besimit në të kaluarën dhe në të tashmen. Ajo ende dëshmon forma të cilat ndryshojnë ndërmjet këtyre epilogëve të cilat i ruajti ajo gjatë kalimit të shekujve.
Ishte e domosdoshme forma e cila do ta prezantonte rastin e hendekut krahas formave tjera, qofshin të afërta apo të largëta.
Ishte e domosdoshme kjo formë në të cilën nuk shpëtojnë besimtarët e as nuk realizohet hakmarrja ndaj jobesimtarëve! Kjo ndodhi që në ndjenjën e besimtarëve - bartësit e thirrjes së All-llahut - të vendoset bindja se ata mund t'i ekspozohen një fundi si ky fund në rrugë të All-llahut, dhe se ata nuk do të kenë në dorë zgjidhjen e çështjes, por çështja e tyre dhe çështja e akides i kthehet All-llahut!
Ata e kanë për detyrë ta kryejnë detyrën e tyre, e pastaj le të shkojnë. Detyrë e tyre është që ata të kenë alternativë All-llahun dhe ta vënë akiden para jetës, ta mbi lartësojnë imanin ndaj sprovës dhe të jenë të sinqertë ndaj All-llahut në vepër dhe nijet. Pastaj All-llahu vepron me ta dhe me armiqtë e Tij siç Ai dëshiron të veprojë me thirrjen dhe fenë e Tij, pastaj përfundon me ta me atë përfundim që historia e imanit si ai njohu shumë ose të ndonjë tjetër siç Ai di dhe e sheh të arsyeshme.
Ata janë argatë te All-llahu, kudo, ngado dhe si do dëshira e Tij ata duhet të veprojnë. Ata vepruan dhe e ftuan shpërblimin e ditur! Nuk është e tyre e as për ta që da'veja të orientohet në çfarëdo rruge. Kjo është çështje e Pronarit të rastit në fjalë, e jo e atij që është argat!
Ata ballafaqimin e parë e pranojnë me zemër të qetë, me ndjenjë të zgjuar, me përfytyrim të bukur duke u çliruar nga të drejtat dhe gjërat tërheqëse, nga frika dhe dëshpërimi në çdo rast prej rasteve.
Ata ballafaqimin e dytë e pranojnë me lëvdatë në botën e engjëjve, me të përmendur dhe respekt me ç'rast ata do të jenë të braktisur nga kjo tokë e vogël.
Pastaj më në fund ata do t'i nënshtrohen ballafaqimit më të madh në ahiret, llogari të lehtë dhe përjetim të madh.
Nga të gjitha ballafaqimet, më e madhe nga të gjitha është kënaqësia e All-llahut dhe se ata janë të zgjedhur të jenë mjet për caktimin e Tij dhe mburojë e fuqisë së Tij. Ai vepron me ta në tokë si të dojë.
Kështu mbaroi edukimi kur'anor me grupin e zgjedhur nga muslimanët në brezin e parë po me këtë zhvillim. Ai i çliroi nga çështjet vetjake dhe personale. Ata e nxorën çështjen e vetvetes krejtësisht. Ata punuan argatë te Pronari i çështjes, ishin të kënaqur me zgjedhjen e All-llahut për çfarëdo situate dhe në çfarëdo gjendje.
Kurse edukimi pejgamberik shkonte sipas udhëzimit kur'anor. Zemrat dhe shikimet u drejtuan nga xhenneti dhe sabri me rolin e zgjedhur, gjersa të japë leje All-llahu si të dojë në dynja dhe ahiret barabarësisht.
Ai, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, shikonte në Ammarin, nënën dhe babain e tij, radijall-llahu anhum, se si po torturohen mizorisht në Mekke, por ai nuk thoshte pos këto fjalë: "Durim familje e Jasirit, premtimi juaj është xhenneti!"
Transmetohet nga Habbab bin Erith, radijall-llahu anhu, i cili ka thënë:
"U ankuam te Resulull-llahu, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, gjersa ai ishte i mbështetur me xhyben e tij nën hijen e Qabes. I thamë: "A nuk po kërkon ndihmë për ne?" Ai u përgjigj: "Ka ndodh para jush që njeriut i është bërë një gropë në tokë dhe është futur në të. Pastaj kanë marrë sharrën ia kanë vënë në kokë dhe ia kanë ndarë kokën në dy pjesë. Ata edhe kriheshin me krehër të hekurit (të skuqur në zjarr) në mish e eshtra. Edhe kjo (torturë) nuk e largonte nga feja e tij. Pasha All-llahun, All-llahu do ta plotësojë çështjen e Tij përderisa grahësi (i kalit apo deves) do të udhëtojë nga San'ai në Hadremeut (nga Jemeni në Irak), e nuk do t'i frikohet askujt pos All-llahut, edhe pse ujku do të rrijë në mes të kopesë së tij, megjithatë ju po nxitoni." Transmeton Buhariu
All-llahu ka urtësi pas çdo situate dhe pas çdo gjendjeje. Mbikëqyrësi i gjithë këtij universi i cili e kontrollon nga fillimi e deri në fund dhe i cili i koordinon ngjarjet dhe i ndërlidhë ato, vetëm Ai e di urtësinë e strukur në sekretin e tij të pazbuluar, urtësi e cila përputhet me dëshirën e Tij në vijën e udhëtimit të gjatë.
Në disa raste - pas disa brezave dhe shekujve - na zbulohet një ngjarje urtësinë e së cilës bashkëkohësit nuk e kishin kuptuar. Ndoshta edhe ata kanë pyetur pse? Pse o Zot po ndodh kjo? Po kjo pyetje është pikërisht ajo prej të cilës ruhet besimtari, se ai e di fillimisht se pas çdo kaderi ka urtësi dhe se hapësira e fushës së të kuptuarit të tij dhe largësia e distancës në kohë e vend, vlerat dhe kriteret, nuk i japin rast të mendojë që në fillim për pyetje të këtilla. Andaj ai ec me funksionin e kaderit, i dorëzuar e i qetë.
Kur'ani përgatiste zemra për bartjen e amanetit. Këto zemra duhet të kenë forcë, takat dhe pavarësi në mënyrë që mos të shikojnë - përderisa ato angazhohen dhe ballafaqohen me çdo gjë - në asgjë që ka lidhje me tokën. Ato nuk duhet të shikojnë pos në ahiret, të mos shpresojnë pos kënaqësinë e All-llahut. Ato janë zemra të gatshme ta kalojnë tërë udhëtimin në tokë me vështirësi, mundime, pengime, torturime dhe flijim gjer në vdekje, edhe atë pa kurrfarë shpërblimi të afërt në tokë, edhe pse shpërblim është edhe fitorja e da'ves, fitorja e Islamit dhe dominimi i muslimanëve, madje edhe nëse është shpërblim shkatërrimi i zullumqarëve me përmbysjen e tyre nga i Fuqishmi i pakufi, siç edhe veproi me përgënjeshtruesit e parë!
Derisa të gjenden këto zemra të cilat dinë se në udhëtimin e tokës nuk kanë tjetër rrugëdalje pos të japin pa kthim - çfarëdo qoftë kompensimi - dhe të presin vetëm ahiretin si vendtakim për ndarjen e së vërtetës dhe të pavërtetës, derisa të gjenden këto zemra dhe ta shohë All-llahu sinqeritetin e nijetit për atë që dha besën dhe pranoi kontratën, vetëm atëherë ua siguron fitoren në tokë dhe i bën të sigurt, jo për veten e tyre por për ta vendosur amanetin e sistemit hyjnor. Këto zemra do të jenë bartëse për kryerjen e këtij amaneti atëherë kur nuk do të presin ndonjë përfitim në dynja, e as nuk do të shikojnë në diçka nga ky përfitim edhe nëse u jepet. Ato i janë falur All-llahut në çastin kur nuk e njohin asnjë shpërblim pos kënaqësinë e Tij.
Të gjitha ajetet në të cilat janë cekur fitorja dhe preja, është cekur mposhtja e idhujtarëve në tokë nga ana e besimtarëve, të gjitha janë të zbritura në Medine, pra pasi qe këto çështje u bënë jashtë programit të besimtarit, pritjes dhe vëzhgimit të tij. Fitorja erdhi vetë ngase dëshira e All-llahut mundësoi që ky sistem të jetë praktik në jetën njerëzore. Ai e konfirmoi në formë të definuar praktike të cilën e përcillnin gjeneratat. Ky nuk ishte shpërblim për lodhjen, mundimin, flijimin dhe dhembjet, por ishte caktim prej caktimeve të All-llahut, i cili mundësoi të shfaqet një urtësi të cilën do të përpiqemi ta dëftojmë tani!
Këtë fenomen duhet ta studiojnë thirrësit në All-llahun në çdo vend dhe në çdo gjeneratë. Ai është i mjaftueshëm që t'ua tregojë shenjat e rrugës, të qarta pa mjegulli, dhe t'ua sigurojë vijën të cilën dëshirojnë ta trasojnë deri në fund, pa marrë parasysh se çfarë do të jetë ky përfundim. Pastaj kaderi i All-llahut do ta determinojë thirrjen në Të dhe gjendjen e tyre ashtu si dëshiron Ai. Ata nuk shikojnë gjatë rrugës së përgjakur, të shtruar me ferra e gaca, me lidhje të barkut e të gjakut në fitore e mposhtje ose të bëjnë ndarjen e hakut nga e kota në tokë, por nëse do All-llahu që përmes tyre të bëjë diç nga kjo për da'ven dhe fenë e Tij, e plotëson atë që do All-llahu, pa shpërblim për dhembjet dhe flijimet. Jo, sepse toka nuk është vend për shpërblim. Në realizimin e caktimit të All-llahut për çështjen e thirrjes së Tij dhe sistemit të Tij përmes disa njerëzve nga robërit e Tij, Ai zgjodhi nga ata që çështjen e Tij ta orientojë si të dojë. Atyre u mjafton se bëjnë pjesë në këtë zgjedhje të ndershme, që në krahasim me të mbetet e vogël dhe e pavlerë kjo jetë dhe çdo gjë që ndodh në udhëtim të tokës, qoftë gëzim apo dëshpërim.
Ekziston edhe një e vërtetë tjetër në të cilën synon njëri nga pasuset kur'anore të rrëfimit mbi hendekun, në fjalën e të Lartmadhërishmit:
"E nuk patën pse t'i urrejnë, përveç që e besuan All-llahun, Ngadhënjyesin, të Lavdëruarin. " (Buruxh, 8)
Një e vërtetë të cilën duhet ta sodisin besimtarët thirrës në rrugë të All-llahut në çdo vend dhe në çdo gjeneratë.
Beteja ndërmjet muslimanëve dhe kundërshtarëve të tyre, në thelb është betejë e akides e nuk është asgjë tjetër absolutisht. Kundërshtarët e tyre nuk i urrejnë për diç tjetër, por vetëm për shkak të imanit dhe nuk i përbuzin, pos për shkak të akides.
Kjo nuk është betejë politike, as ekonomike e as racore. Po të ishte kështu, do të ishte i lehtë ndalimi i saj dhe do të ishte e lehtë zgjidhja e problemit. Por, ajo në thelb është betejë e akides - ose mohim ose besim. ose xhahilijjet ose Islam!
Kokat e mëdha të shirkut i ofruan Resulull-llahut, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem pasuri, pushtet dhe dëfrim si kompensim për atë që ta lë betejën e akides dhe të largohet nga kjo çështje! Sikur t'u përgjigjej, Zoti na ruajt, për atë që ata dëshironin, nuk do të kishte betejë midis tij dhe midis tyre!
Kjo çështje është problem i akides dhe betejë e akides. Në këtë duhet të jenë të bindur besimtarët kudo që të ballafaqohen me armikun e tyre. Ai nuk u kundërvihet për asgjë pos për këtë akide "përveç që e besuan All-llahun, ngadhënjyesin, të lavdëruarin " dhe pse të sinqertë qëndrojnë vetëm për Të, me respekt dhe nënshtrim!
Armiqtë e besimtarëve përpiqen që betejës t'ia ngrenë një flamur tjetër përveç flamurit të akides, flamur politik, ekonomik ose racor, që t'ua mjegullojnë besimtarëve realitetin e betejës, që ta shuajnë në shpirtrat e tyre rrezen e akides. Është detyrë e besimtarëve të mos mashtrohen dhe ta dinë se kjo është mjegullim i qëllimit të fjetur, dhe se ai i cili e ndërron flamurin e betejës, dëshiron t'i largojë nga arma e
fitores së vërtetë. Fitores, në cilëndo formë prej formave të saj, qoftë në formë të ngritjes shpirtërore, siç ndodhi me besimtarët në ndodhinë e hendekut, apo në formë të dominimit, të realizuar përmes ngritjes shpirtërore, siç ndodhi me brezin e parë prej muslimanëve.
Ne sot po dëshmojmë shembuj të ndryshëm për mjegullimin e flamurit (qëllimit, sh.p.) përmes përpjekjeve kryqtare botërore që të na mashtrojnë nga realiteti i betejës, ta falsifikojnë historinë dhe të na pretendojnë se luftërat kryqtare ishin mbulesë e kolonializimit. Asnjëherë dhe kurrsesi! Në të vërtetë kolonializimi, i cili erdhi më vonë, ishte mbulesë e shpirtit kryqtar i cili nuk pati fuqi ta zhvesh veten (ideologjikisht sh.p.) pikërisht edhe siç i ndodhi rasti në Mesjetë. Ai u dërrmua përmes shkëmbit të akides me udhëheqjen e muslimanëve nga të gjitha kombet, ndër ta Salahud-din kurdiu dhe Turan Shah memluku, elemente të cilat e harruan kombësinë e tyre, e avancuan akiden e tyre dhe fituan nën Flamurin e akides!
"Nuk patën pse t'i urrejnë, përveç që e besuan All-llahun, ngadhënjyesin, të lavdëruarin." (Buruxh, 8)
All-llahu i Madhërishëm e tha të vërtetën, kurse maskuesit mashtrues e thanë gënjeshtrën!