Lartesimi i imanit Hitskin_logo Hitskin.com

هذه مُجرَّد مُعاينة لتصميم تم اختياره من موقع Hitskin.com
تنصيب التصميم في منتداكالرجوع الى صفحة بيانات التصميم

Islam for all-الإسلام للجميع

هل تريد التفاعل مع هذه المساهمة؟ كل ما عليك هو إنشاء حساب جديد ببضع خطوات أو تسجيل الدخول للمتابعة.

Lartesimi i imanit Aya10
Questo sito e' protetto con
Norton Safe Web


    Lartesimi i imanit

    الحلاجي محمد
    الحلاجي محمد
    Servo di Allah


    Sesso : ذكر

    Numero di messaggi : 6995

    Lartesimi i imanit Empty Lartesimi i imanit

    مُساهمة من طرف الحلاجي محمد الأحد 31 أكتوبر - 14:31:06

    Lartesimi i imanit


    "E mos u dobësoni (fizikisht) dhe mos u dëshpëroni (shpirtërisht) derisa ju jeni më të lartit, po qe se jeni besimtarë të sinqertë. " (Ali Imran, 139)
    Gjëja e parë në të na cilën shkon mendja nga ky udhëzim është se ky ajet i drejtohet gjendjes në xhihad e përfaqësuar në dyluftim. Por, njëmendësia e këtij udhëzimi dhe shtrirja e tij është më e madhe dhe më e gjerë nga kjo gjendje e veçantë me të gjitha rrethanat e tij të shumta.
    Ai përfaqëson gjendjen e përhershme në të cilën duhet të jetë ndjenja e muslimanit, koncepti, vlerësimi i gjërave dhe ndodhive, vlerave dhe individëve në mënyrë të barabartë.
    Ai përfaqëson gjendjen e lartësimit në të cilën duhet të vendoset qenia e besimtarit pas çdo gjëje, çdo situate, çdo vlere dhe çdo individi, lartësimi me iman dhe me vlerat e tij mbi të gjitha vlerat që dalin nga një bazë jashtë bazës së imanit.
    Lartësimi mbi fuqitë e shmangura të tokës nga metodologjia e imanit, mbi vlerat e tokës të cilat nuk burojnë nga baza e imanit, mbi traditat e tokës të cilat nuk i ka formuluar imani, mbi ligjet e tokës të cilat nuk i ka normuar imani dhe mbi institucionet e tokës të cilat nuk i krijoi imani.
    Lartësimi, përkundër dobësisë së fuqisë, vogëlsisë së numrit dhe varfërisë së mallit, është i barabartë si lartësimi me fuqi, bollëk dhe pasuri.
    Lartësimi i cili nuk tundet para një fuqie shtypëse, as para tekeve shoqërore, as para ligjit të padrejtë, as para një standardi i cili është pranuar tek njerëzit e i cili nuk ka kurrfarë mbështetje në iman.
    Rasti i ndihmesës kolektive dhe qëndresës në xhihad nuk është tjetër pos një rast prej rasteve të lartësimit të cilin e përfshin udhëzimi i madh hyjnor.
    Lartësimi me iman nuk është rëndom një insistim personal, mburrje e shprehur dhe entuziazëm i flaktë, por ai është lartësim i vendosur në të vërtetën e patundur të përqendruar në natyrën e ekzistimit, në të vërtetën e pashtershme edhe pas logjikës së forcës, botëkuptimit të ambientit, normativave të shoqërisë dhe traditave të njerëzve ngase ai është i lidhur drejtpërsëdrejti me All-llahun e gjallë që nuk vdes.
    Bashkësia njerëzore ka pozitën dominuese, bontonin e saj të përgjithshëm, shtypjen dërrmuese dhe peshën e saj të rëndë, por ka efekt vetëm mbi ata të cilët. nuk kanë mbrojtje prej tij me ndonjë shtyllë të palëkundshme, dhe të cilët i rezistojnë pa ndonjë mbështetje të fortë. Është shumë vështirë të përshkohen konceptet dominuese dhe idetë e përhapura dhe të shpëtohet prej tyre pa u vendosur një e vërtetë nën ndikimin e së cilës shteren këto koncepte dhe mendime dhe pa u mbështetur në një burim më të lartë se burimi i tyre, më i madh dhe më i fuqishëm.
    Ai i cili i është nënshtruar kësaj shoqërie, mendimit dominues, bontonit të përgjithshëm, vlerave, konsideratave, ideve, koncepteve, devijimeve dhe tekeve të saj, do të ndihet i huaj dhe i dobët gjersa nuk ka mbështetje më të fortë sesa mbështetja në njerëz, mbështetje më të sigurt sesa toka, mbështetje më të ndershme sesa jeta.
    All-llahu nuk e lë besimtarin të vetmuar ta rezistojë shtypjen, ta bartë barrën, të rraskapitet nga dobësimi e dëshpërimi. Që këtu vjen ky udhëzim:
    "E mos u dobësoni (fizikisht) dhe mos u dëshpëroni (shpirtërisht) derisa ju jeni më të lartit, po qe se jeni besimtarë të sinqertë. " (Ali Imran, 139)
    Ky udhëzim paraqitet t'i kundërvihet dobësimit dhe dëshpërimit si dy gjendje emocionale të cilat e sulmojnë ndërgjegjen në' këtë rast. Ai u kundërvihet me lartësim e jo thjesht me durim dhe qëndresë. Lartësimi i cili shikon nga lart në fuqitë zullumqare, vlerat dominuese, konceptet e përhapura, konsideratat, pozicionet, traditat, doket dhe grupet e tubuara në lajthitje.
    Besimtari është më i larti. Më i larti në mbështetje dhe burim. As e tërë toka, as njerëzit, as vlerat që dominojnë në tokë dhe konsideratat e përhapura në njerëz nuk janë më të larta përderisa ai nga All-llahu frymëzohet, te All-llahu kthehet (mbështetet) dhe sipas metodologjisë së Tij do të shkojë?
    Ai më së miri e percepton dhe më së larti e koncepton të vërtetën e ekzistencës. Besimi në All-llahun, Një, përmes kësaj pamjeje me të cilën erdhi Islami, është pamja më e plotë e njohurisë së të vërtetës më kolosale. Kur të bëhet krahasimi i kësaj pamjeje me atë grumbull konceptesh, besimesh dhe drejtimesh, qofshin ato që kanë ardhur prej filozofive të mëdha në të kaluarën dhe të sotshmen apo ku përfunduan besimet idhujtare dhe biblike të devijuara (çifute e të krishtera, sh.p.), apo atë që e imponuan drejtimet e errëta materialiste, kur të bëhet krahasimi i kësaj pamjeje të shkrepur, të qartë, të bukur e të harmonizuar me këtë grumbull dhe këto sorollatje, do të ndriçohet madhështia e besimit islam siç nuk është ndriçuar kurrë më parë. Nuk ka dyshim se ata që e dinë këtë të vërtetë, janë më të lartë se të gjithë ata që gjenden në atë grumbull.18
    Ai është më i ngrituri në konceptimin e vlerave dhe kritereve me të cilat maten jeta, ndodhitë, gjërat dhe individët. Akideja e cila buron nga të njohurit e All-llahut me atributet e Tij, siç i theksoi ato Islami, dhe nga e cila buron njohuria për njëmendësinë e vlerave, në këtë ekzistencë të pakufishme e jo në mejdanin e vogël të Tokës, kjo akide e ka për detyrë t'i ofrojë besimtarit koncept për vlerat më të larta dhe më të përpikta nga ato kritere të ndryshme që gjenden në duar të njerëzve, të cilët edhe nuk mund të perceptojnë përveç çka shohin nën këmbët e tyre. Ata nuk mund t'i përmbahen një kriteri edhe në një gjeneratë, madje edhe në një popull, madje edhe në një qenie prej kohës në kohë.
    Ai është më i larti në ndërgjegje dhe sens, moral dhe sjellje. Besimi i tij në All-llahun me emra të bukur dhe veti të shkëlqyeshme vetvetiu e frymëzojnë me madhështi, pastërti, ndershmëri dhe devotshmëri, pastaj me punë të frytshme dhe udhëheqje të drejtë. Mbi këto, frymëzimi i akides për shpërblim në ahiret, shpërblim para të cilit zvogëlohen telashet e dynjasë dhe të gjitha ankesat nga ajo, në të cilin qetësohet ndërgjegjja e besimtarit edhe nëse shkon nga kjo botë pa ndonjë përfitim.
    Ai është më i larti me ligj dhe sistem. Atëherë kur besimtari e konsulton gjithë atë kapital që e njohu njerëzimi në të kaluarën dhe sot dhe e krahason me ligjin dhe sistemin e tij, do të shohë se ato u përngjajnë përpjekjeve fëmijërore dhe kacavarjeve të qorrave. Ai në këtë rast do të shikojë në njerëzimin nga lart me dhembje e keqardhje për mjerimin dhe pafatësinë e tyre. Në shpirtin e vet ai e ndjen atë mbi lartësim mbi këtë pafatësi dhe humbje.
    Pikërisht kështu muslimanët e parë qëndronin para dukurive të zbrazëta, fuqive të tundura dhe konsideratave të cilat njerëzit i adhuronin në xhahilijjet. Xhahilijjeti nuk është një periudhë kohore, por është gjendje prej gjendjeve e cila përsëritet sa herë që devijon shoqëria nga metodologjia islame, njëjtë si në të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen.
    Kështu qëndroi Mugire Ibën Shu'be para formave të xhahilijjetit, pozicioneve, vlerave dhe koncepteve të tij në tendën e Rustumit, komandantit të njohur persian:
    Nga Ebu Uthman En-Nehdi përcillet se ai ka thënë: "Kur Mugireja arriti në Kantare (vendi ku gjendej një urë, sh.p.) e kaloi atë, dhe doli në anën e persianëve. Nga ai kërkuan të ulet për bisedë. Ata kërkuan nga Rustumi të takohet me të. Nuk ndryshuan asgjë nga simbolet e veshura për t'i treguar qëndrimet e forta. Kur u afrua Mugire ibni Shu'be i pa ushtarët në veshjen e tyre me kurora dhe rroba të praruara (të thurura me ar). Ai (Rustumi) i kishte rreshtuar ata në largësi prej një galves (Galveja është masë largësie sa shkon larg shigjeta e cila përcaktohet me treqind ose katërqind hapa). Askush nuk i afrohej më afër nga kjo largësi e galves. Mugireja, i cili kishte katër gërsheta, iu afrua duke ecur gjersa u ul në shtratin ku gjendej edhe jastëku i tij. Atëherë iu turrën ushtarët, e shkundën, e ulën dhe e rrëzuan. Mugireja në atë rast tha: "Më parë na arrinin lajmet për ju që i ëndërronim. Por sot nuk shoh popull më të poshtëruar se ju. Ne arabët jemi të barabartë, nuk e robërojmë njëri-tjetrin, përveç nëse jemi në luftë (armiqësi) me banorin tonë. Kam menduar se edhe ju e trajtoni të barabartë popullin tuaj ashtu siç i trajtojmë ne tanët të barabartë. Do të ishte më mirë nga kjo që vepruat me mua të më informoni se një pjesë e juaj është zot i tjetrës. Kjo gjendje nuk do të vazhdojë gjatë te ju. Ne nuk veprojmë kështu, as që do t'u kisha ardhur, por vetë më ftuat. Sot kuptova se çështja juaj do të mbarojë. Ju do të jeni të dështuar. Asnjë mbret nuk mund të qëndrojë me këto sjellje e as me këto mend."
    Kështu edhe Rub'ij bin Amir qëndroi trimërisht me Rustumin dhe ushtrinë e tij para luftës së Kadisijjes:
    "Sa'd bin Ebu Vekkasi e dërgoi Rub'ij bin Amirin para ngjarjes së Kadisijjes si përfaqësues te Rustumi, komandant i ushtrisë persiane dhe udhëheqës i tyre. Kur hyri te ai e pa se si e kishin zbukuruar vendin (tendën) e tij me jastëkë e shtretër të mëndafshtë, kurse në të dukeshin margaritarët dhe xhevahiret e shtrenjtë dhe të çmueshëm e në kokë mbante taxhin, po edhe gjëra tjera të çmueshme. Ai ishte i ulur në një krevat prej ari. Rub'iju hyri me teshat e tij të zhgujta e kalin e tij të ulët saqë filloi të shkelë në një pjesë të qilimit. Pastaj zbriti nga ai dhe e lidhi me një pjesë të jastëkëve. Iu afrua atij (Rustumit) me armë në dorë e me helmetë në kokë. I thanë atij: Lëre armën. Ai u përgjigj: Unë nuk u jam dorëzuar, por erdha meqë më ftuat. Nëse më lini kështu (po mbetem), përndryshe po kthehem. Atëherë Rustumi tha: Jepni leje atij. Filloi t'i afrohet duke e mbështetur shigjetën e tij mbi mbulesat dhe duke i shpuar. Rustumi i tha: Ç'ju solli juve këtu? Ai u përgjigj: All-llahu na ka sjellë që t'i nxjerrim ata që Ai do nga robëria ndaj robërve në robëri vetëm ndaj All-llahut, nga ngushtica e dynjasë në gjerësinë e dynjasë dhe ahiretit dhe nga padrejtësitë e feve tjera në drejtësinë e Islamit."
    Situatat kanë ndryshuar. Megjithatë muslimani edhe pse është në pozitën e të mundurit, por thjesht vetëm prej fuqisë materiale, atë nuk e ndajnë emocionet se ai është më i larti. Ai në ngadhënjyesin e tij shikon nga lart përderisa është besimtar. Ai është i bindur se ajo është periudhë e shkurtër që do të kalojë. Imanit përsëri do t'i kthehet, s'ka ikje prej tij. Madje merre edhe si supozim se ai nuk ngadhënjen, përsëri një gjendje e tillë nuk ia ulë kokën. Njerëzit që të gjithë vdesin, kurse muslimani bie shehid. Ai ndahet nga kjo tokë për në xhennet, kurse ngadhënjyesi i tij kur ndahet
    shkon në zjarr. Sa i madh është dallimi midis tyre, kurse ai e dëgjon ftesën e Zotit të tij bujar:
    "Të mos mashtrojë bredhja nëpër qytete e atyre që nuk besuan. Ajo është një kënaqësi e paktë, e pastaj vendi i tyre është xhehennemi që është vend mjerimi. Por, ata që ia patën frikën Zotit të tyre, ata i kanë xhennetet nëpër të cilat rrjedhin lumenj dhe aty janë përgjithmonë. Ajo është pritje nga ana e All-llahut, e për të mirët më e dobishmja është ajo që është tek All-llahu. " (Ali Imran, 196-198)
    Derisa shoqërinë e udhëheqin ideologji, koncepte, vlera dhe pozicione, që të gjitha janë ndryshe nga akideja, konceptet, vlerat dhe kriteret e tij, atë prapëseprapë nuk e braktisin ndjenjat se ai është më i larti, kurse ata që të gjithë në shkallë të ulët. Ai shikon në ta nga lart me nder dhe mburrje, por edhe me mëshirë, dhembje dhe me dëshirë për udhëzimin e tyre në mirësinë që është me të dhe ngritjen e tyre në lartësinë
    ku ai jeton.
    Batili (sistemi i kotë) bën zhurmë dhe bërtet, ngre zërin dhe shkund krahët. Ai përshkohet me panik artificiale me të cilën vë perde në sytë dhe zemrat e njerëzve. Sytë dhe zemrat e tyre nuk i shohin pas këtij paniku të këqijat e shëmtuara dhe mëngjesin e vrenjtur e të mbrapshtë. Besimtari shikon nga lartësia në batilin krahëhapur dhe në masën e mashtruar. Ai as nuk dobësohet, as nuk dëshpërohet. Ai nuk lëkundet nga vendosja në hakun që e posedon dhe vendosmëria në metodologjinë që e ndjek. Atij nuk i dobësohet as dëshira për udhëzimin e të humburve dhe të mashtruarve.
    Kështu shoqëria fundoset në pasionet e saj të ulëta, shkon sipas tekeve të saj lakuriqe, ngjitet për balte e për dheu duke llogaritur se ai po kënaqet dhe po lirohet nga prangat dhe përkufizimet. Përkundrazi, do të jetë shumë vështirë të gjendet në këtë shoqëri kënaqësia e pastër dhe e mira hallall. Aty nuk mund të gjejmë pos asaj që është bërë traditë e mbrapshtë, pos baltës dhe dheut. Besimtari shikon nga lart në ata që janë zhytur në baltë e janë ngjitur për dheu e se si ai ka mbetur i veçantë dhe i vetëm. Ai as nuk dobësohet, as nuk dëshpërohet. Asnjëherë nuk i shkon mendja që ta heq mantelin e tij të bardhë e të dëlirë e të zhytet në baltë. Ai mbetet më i larti me përjetimin e imanit dhe kënaqësinë e bindjes.
    Besimtari qëndron i kapur për fenë e tij si ai që është kapur për maje të palmës në shoqërinë e cila dëboi fenë, moralin, vlerat e larta, gjërat e ndershme dhe çdo gjë e cila është e pastër, e dëlirë dhe e bukur. Të tjerët marrin qëndrimin e tallësit të vlerave të tij. Besimtari nuk dobësohet duke shikuar nga lart në nënçmuesit, tallësit dhe përqeshësit dhe duke thënë atë që e tha njëri nga turma e ndershme e cila ishte para tij, në varganin e imanit të thellë e modest e në rrugën e gjatë e të hapur, Nuhu alejhisselam:
    "Nëse talleni me ne, edhe ne do të tallemi me ju, ashtu siç po talleni ju!" (Hud 38)
    "Mëkatarët ishin ata të cilët i përqeshnin ata që besuan, dhe kur kalonin (besimtarët) pranë tyre (idhujtarëve), ata ia bënin me sy njëri-tjetrit. E kur ktheheshin te familjet e veta, ktheheshin të kënaqur. Dhe kur i shihnin ata (besimtarët), thonin: S'ka dyshim se këta (besimtarët) janë të humbur! Po Ne nuk i caktuam ata (idhujtarët) si rojë të atyre (besimtarëve). E sot (në Ditën e gjykimit), ata që besuan do të tallen me jobesimtarët. Duke qëndruar të mbështetur (besimtarët) në kolltukë e duke shikuar. A thua a u shpërblyen jobesimtarët për atë që punuari? " (Mutaffifun, 29-36)
    "E kur u lexoheshin atyre ajetet tona të argumentuara, ata që nuk kishin besuar u thonin atyre që kishin besuar "Cili grup (ne ose ju) ka vend jete më të mirë dhe kuvend më autoritativ? " (Merjem, 73)
    Cili nga dy grupet? Mendjemëdhenjtë që nuk i besojnë Muhammedit apo të varfrit të cilët tubohen rreth tij? Cili nga dy grupet? Nadr bin Harith, Amr bin Hisham, Velid bin Mugire dhe Ebu Sufjani apo Bilalli, Ammari, Suhejbi dhe Habbabi? A mund të jetë ajo në të cilën thërret Muhammedi mirësi? A thua ithtarë të tij të denjë janë ato grupe të cilët as nuk kanë autoritet te kurejshët e as forcë, të cilët tubohen në një shtëpi të thjeshtë si shtëpia e Erkamit, kurse kundërshtarë të tij të jenë ithtarët e nedves (klubit) me famë madhore, me autoritet, pozitë dhe pushtet?!
    Kjo është logjikë e lidhur për tokën, logjikë e të verbuarve nga hapësirat e larta në çdo kohë dhe vend. Është urtësi e All-llahut që akideja të mbetet e zhveshur nga çdo zbukurim dhe e liruar nga faktorët e joshjes. S'ka afërsi me sunduesin, as krenari me pozitën, as përgjigje kënaqësisë e as shqetësim nga emocionet. Ajo kërkon përpjekje, mundim, xhihad dhe dëshmorësi. Atë le ta pranojë kush të dojë. Besimtari është i sigurt në vetvete se ai e do vetvetiu, pastër vetëm për All-llahun pa i ndërhyrë njerëzit, pa iu përgjigjur pozitave dhe tërheqshmërive lajkatare. Nga ajo le të shmangen ata që lakmojnë në pozita dhe interesa, në zbukurime dhe lavdërime, pasuri e plaçkë dhe ata që u japin peshë konsideratave të njerëzve gjersa nuk kanë peshë te peshorja e All-llahut.
    Besimtari nuk i merr vlerat, konceptet dhe kriteret e tij nga njerëzit, përderisa nuk i vlerëson gjykimet e njerëzve, por ai i merr nga Zoti i njerëzve i cili i mjafton. Ai nuk i merr nga pasionet e krijesave, përderisa të anojnë mbi pasionet e krijesave. Ai i merr nga peshorja e hakut të qëndrueshëm i cili nuk anon e as nuk avancon. Ai nuk i përvetëson nga kjo botë e sosur dhe e kufizuar por ato janë të ngulitura në ndërgjegjen e tij nga burimet e ekzistencës. Andaj, prej nga të gjejë në shpirtin e tij dobësi ose në zemrën e tij dëshpërim gjersa ai është i lidhur me Zotin e njerëzve, peshoren e hakut dhe burimet e ekzistencës?
    Ai ka të drejtë. Përtej të drejtës nuk ekziston asgjë pos lajthitjes. Le të ketë lajthitja autoritetin e vet, le t'i ketë hilet e mashtrimet, le t'i ketë mbrapa turmat dhe masat. Kjo nga haku asgjë nuk ndryshon. Ai është në hak, përtej hakut nuk ekziston asgjë pos lajthitjes. Besimtari nuk e zgjedh lajthitjen në dëm të hakut me lajthitje, sido që të jenë rrethanat dhe situata.
    "Zoti ynë, mos na i lako zemrat tona pasi na i drejtove, na dhuro mëshirën Tënde, pse vetëm Ti je dhuruesi i madh. Zoti ynë, Ti je ai që në një ditë do t'i tubosh njerëzit, ditë për të cilën nuk ka dyshim. All-llahu nuk shkel premtimin e Vet" (Ali Imran 8-9)

    18 Konsulto kapitullin: "Sorollatje dhe grumbullim" në librin: "Karakteristikat e konceptit islam dhe potencialet e tij"

      الوقت/التاريخ الآن هو الأحد 19 مايو - 22:04:41