Namazi është farz (detyrim) duke u bazuar në argumentet e qarta nga Kur’ani, hadithet e Pejgamberit, dhe ixhmaja (pajtueshmëria) e gjithë Ummetit, për çdo musliman në moshën madhore (pubertet), i mençur, pa përjashtim, përveç grave që janë në të përmuajshmet dhe në lehoni. Disa prej argumenteve të Kur’anit për obligimin e namazit janë:
وَمَا أُمِرُوا إِلا لِيَعْبُدُوا اللَّهَ مُخْلِصِينَ لَهُ الدِّينَ حُنَفَاءَ وَيُقِيمُوا الصَّلاةَ وَيُؤْتُوا الزَّكَاةَ وَذَلِكَ دِينُ الْقَيِّمَةِ.
“E duke qenë se ata nuk ishin të urdhëruar me tjetër, pos që ta adhuronin Allahun me një adhurim të sinqertë ndaj Tij, që të largohen prej çdo besimi të kotë, ta falin namazin, të japin zeqatin, se ajo është feja e drejtë.”
إِنَّ الصَّلاةَ كَانَتْ عَلَى الْمُؤْمِنِينَ كِتَابًا مَوْقُوتًا.
“… vërtetë namazi është obligim (në kohën e vet) i caktuar për besimtarët”.
Kurse prej Sunnetit mund të përmendim hadithin e Muadhit kur Pejgamberi e dërgoi atë në Jemen i tha: Mësova atyre se Allahu ua ka bërë obligim pesë kohët e namazit brenda çdo ditës dhe natës. Gjithashtu mund të cekim hadithin që transmetohet nga Ibën Umeri, se Pejgamberi ka thënë: “Islami është ngritur mbi pesë shtylla: Dëshmia se nuk ka Zot që meriton të adhurohet përveç Allahut, dhe se Muhamedi është i Dërguari i Allahut, falja e namazit, dhënia e zekatit, agjërimi i Ramazanit, dhe shkuarja në Haxh kush ka mundësi.
Prej Ubadete Ibën Samit transmetohet se e ka dëgjuar Pejgamberin duke thënë: “Allahu ua ka obliguar pesë kohë të namazit robërve të Tij, dhe kush vjen me to duke mos lënë mangët diçka prej tyre dhe duke qenë se i ka kryer në mënyrë të mirëfilltë, Allahu ka premtuar që atë person do ta fus në Xhenet.
Këto janë vetëm disa prej haditheve dhe ajeteve që flasin për detyrimin e namazit kurse prej tyre ka edhe shumë të tjerë. Kurse sa i përket Ixhmasë, janë pajtuar të gjithë dijetarët e Umetit se pesë kohët e namazit janë obligim gjatë çdo dite dhe nate. Namazi nuk është obligim për gratë që janë në menstruacione dhe lehone duke u argumentuar me hadithin e Pejgamberit: “A nuk është gruaja që nuk falet dhe nuk agjëron në menstruacione”