Në emër të Allahut, të gjithmëshirshmit, Mëshirëplotit!
PARATHËNIA E IMAM EN-NEVEVIUT
Falënderimi i qoftë All-llahut, Zotit të botërave, Krijuesit të qiejve
dhe të Tokës, Sunduesit të të gjitha krijesave, Dërguesit të
Pejgamberëve (mëshira dhe paqja e All-llahut qoftë mbi ta!) të
obliguarve, për t'i përudhur dhe për t'ua shpjeguar atyre rregullat e
fesë me argumente të prera dhe dëshmi të qarta. E falënderoj Atë për të
gjitha begatitë dhe prore kërkoj nga bujaria dhe fisnikëria e Tij.
Dëshmoj dhe konfirmoj se nuk ka zot tjetër, përveç All-llahut, Një i
Vetmi dhe i pa rival. Një dhe i Gjithmundshëm, Fisnik dhe Falës. Dëshmoj
dhe konfirmoj se zotëriu ynë Muhammedi është i përkushtueshmi dhe i
dërguari i Tij, i dashur dhe mik i ngushtë i Tij, krijesa më e mirë, i
nderuar me Kur'anin famëlartë, që është mu'xhizeja e vazhdueshme sa të
ekzistojë koha, me rregulla të ndritshme për ata që kërkojnë këshilla,
zotëriu ynë Muhammedi, i cilësuar me të folur të thukët dhe tolerancë në
fe, mëshira dhe paqja e Zotit qoftë mbi të dhe mbi të gjithë
pejgamberët dhe të dërguarit e Zotit, mbi familjet e tyre dhe mbi të
gjithë njerëzit e mirë.
Abdullah ibni Mes'udi, Mu'adh ibni Xhebeli, Ebu Derda'i, Ibni Umeri,
Ibnu Abbasi, Enes ibni Maliku, Ebu Hurejre dhe Ebu Se'id el Hudarij
(Zoti qoftë i kënaqur me ta!), me shumë rrugë dhe transmetime të
llojllojshme se i Dërguari i All-llahut (mëshira dhe paqja e All-llahut
qoftë mbi të!), ka thënë: "Ai, i cili popullit tim ia mëson dyzetë
hadithe nga çështjet e fesë së tij, All-llahu do ta ringjallë në ditën e
gjykimit në shoqëri të fukahave dhe dijetarëve." Sipas një transmetimi:
"Do ta ringjallë All-llahu si fakih dhe dijetar." Kurse, sipas
transmetimit të Ebu Derda-së: "Në ditën e gjykimit do të jem
ndërmjetësues dhe dëshmitar i tij." Ndërkaq, sipas transmetimit të Ibnu
Mes'udit: "Do t'i thuhet atij: 'Hynë nga cila derë e xhennetit të
duash." Dhe sipas transmetimit të Ibnu Umerit: "Do të shkruhet në
shoqëri të dijetarëve dhe do të ringjallet në shoqëri të shehidëve."
Hafidhi (Imam En-Neveviu - N.I.) pajtohet në vlerësimin se hadithi është
i dobët (hadith daif), edhe pse rrugët e të transmetuarit janë të
shumta.
Dijetarët (kënaqësia e Zotit qoftë mbi ta!),
nga kjo lëmi kanë shkruar vepra të panumërta. I pari, të cilin e di që
ka shkruar në të është Abdullah ibni el-Mubareku, pastaj Ibnu Eslem
et-Tusi (teolog i shquar), e pastaj edhe el-Hasan ibni Sufjan en-Nesaij,
Ebu Bekr el-Axhurij, Ebu Bekr Muhammed ibni Ibrahim el-Esfehanij,
ed-Derekutnij, el-Hakim, Ebu Nuajm, Ebu Abdurrahman es-Sulemij, Ebu Seid
el-Malinij, Ebu Uthman es-Sabunij, Abdullah ibni Muhammed el-Ensarij,
Ebu Bekr el-Bejhekij dhe një sërë dijetarësh të panumërt të dijetarëve
të vjetër dhe atyre të mëvonshëm.
Iu kam lutur All-llahut të Madhërishëm për
mëshirë në zgjidhje të drejtë për tubimin e dyzetë haditheve, duke e
ndjekur shembullin e këtyre kolosëve të diturisë dhe mbrojtësve të
islamizmit. Dijetarët janë të pajtimit se lejohet veprimi në praktikë
sipas hadithit të dobët (daif) në vepra të virtytshme, megjithëkëtë
mbështetja ime nuk është në këtë hadith, por në fjalët e të Dërguarit
(alejhis-selam) në hadithe të vërteta: "I pranishmi le t'ia komunikojë
atij që mungon.", dhe hadithi tjetër: "All-llahu e hijeshoftë atë njeri,
i cili i dëgjon fjalët e mia, i kupton ato dhe ua përcjell të tjerëve
ashtu siç i ka dëgjuar."
Dikush nga dijetarët i tuboi dyzetë hadithe nga
bazat e fesë, dikush nga degët e saj, dikush nga xhihadi, dikush nga
zuhdi (asketizmi), dikush nga mirësjellja, dikush nga të predikuarit dhe
të gjitha këto kishin qëllime të mira (All-llahu qoftë i kënaqur me
ta!).
Mendova për tubimin e dyzetë haditheve më të
rëndësishme nga të gjitha këto. Kurse ato janë dyzetë hadithet ku
përfshihen të gjithë lëmenjtë e numëruar, ku çdonjëri hadith është një
themel i fortë prej themeleve të fesë. Këto hadithe nga ana e dijetarëve
u vlerësuan se baza e islamizmit mbështetet në të, apo se është gjysma e
islamizmit, apo një e treta e të ngjashme. Pastaj, ishte e domosdoshme
që këto dyzetë hadithe të jenë të vërteta (sahih) e që shumica e tyre të
jenë nga Sahihu i Buhariut dhe i Muslimit. Do t'i theksoj pa ua
përmendur senedet (zinxhirin e transmetuesve), me qëllim të lehtësimit
të mbamendjes dhe të shtimit të dobisë prej tyre in sha'All-llahu teala.
Për çdonjërin që dëshiron të fitojë Ahiretin
është e nevojshme që ta njohë rëndësinë dhe porositë që përfshijnë këto
hadithe për të gjitha veprat e mira. Kjo është e qartë për atë, i cili
studion.
Në All-llahun mbështetem, tek Ai bazohem dhe në
Të thirrem. Atij i përket falënderimi dhe begatia. Prej Tij është
suksesi dhe mbrojtja.